Ish-emisari i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se kryeministri Kurti është një problem në dialog, sepse nuk i respekton marrëveshjet e mëparshme, përfshirë Asociacionin.
Grenell ka theksuar se Hashim Thaçi, i cili aktualisht po gjykohet në Gjykatën Speciale në Hagë, ndryshe nga Kurti, do të respektonte marrëveshjet e mëparshme.
“Unë mendoj se ne ishim në rrugën e duhur për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë derisa Thaçi ishte president i Kosovës. Marrëveshjet e tilla nuk janë kurrë të lehta, të dyja palët duhet të jenë në gjendje të marrin vendime të vështira dhe të ecin përpara. Vendimet nuk janë politike, por rreth ekonomisë dhe kam qenë shumë i qartë me njerëzit kur kam qenë pranë të dërguarit të Presidentit Trump, nuk jam dikush që kam familje të vuajtur apo të prekur nga lufta në Ballkan, nuk kam qenë aty, nuk kam emocione për atë luftë dhe unë i kuptoj njerëzit që më kritikojnë se jam i pandjeshëm, që nuk i kuptoj, e gjithë kjo është e qartë, por do t’u thosha qytetarëve të Kosovës, miqve shqiptarë dhe miqve nga Serbia se është mirë të kesh dikë nga ana, një palë e tretë që do të ndihmojë në vështrimin e gjërave. Gjithmonë ka qenë qëllimi gjatë administratës Trump të ndërtohet ekonomia, që të rinjtë të mos ikin këtu, të ndërtojnë jetë këtu dhe që sektori privat të vijë e të krijojë vende pune dhe mendoj se ishim në atë rrugë”, tha Grenell për Kosovo-Online.
Grenell ka shtuar se duhet bërë më shumë presion ndaj Kurtit nga bashkësia ndërkombëtare për ta respektuar marrëveshjen e 3 qershorit.
“Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të zbatojë atë që u kërkua më 3 qershor, kjo është e qartë. Isha i qartë kur thashë se Kurti nuk është i dobishëm, se ai kritikohet edhe nga republikanët edhe nga demokratët, nga NATO, nga BE. Ai ka kaluar vijën e kuqe më 3 qershor dhe nuk ka pasur pasoja. Besueshmëria e SHBA-së dhe BE-së tani është në rrezik.