image Gratë do të udhëheqin pesë nga 15 ministritë në Qeverinë Kurti

Kosovë

Institucionet/ Gratë do të udhëheqin pesë nga 15 ministritë në Qeverinë Kurti

news image

Pesë nga 15 ministritë do të udhëhiqen nga gratë, shkruan Gazeta Sinjali.

Vjosa Osmani dhe Arbërie Nagavci do ta udhëheqin Kuvendin e Kosovës, bashkë me kolegë të tjerë që e përbëjnë kryesinë e Kuvendit.

Në këtë legjislaturë është rritur numri i grave që kanë fituar mandatet e tyre pa kuotë.

Për rritjen e numrit të grave në Qeverinë e Kosovës është shprehur e lumtur ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku.

“Vjosa është gruaja e parë që shërben si Kryetare e organit më të lartë legjislativ në #Kosovo. Ky moment historik është në krye të emërimit të 5 grave të mahnitshme si ministre”, ka shkruar Çitaku në rrjetin social Facebook.

Me 65 vota pro, Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, nënkryetare e këtij institucioni është Arbërie Nagavci, që nga 26 dhjetori kur u konstitua Kuvendi.

Qeveria e re do t’i ketë pesë ministre femra, gjë që nuk ka ndodhur më parë, që kur Kosova është shtet i pavarur.

Ministret e reja të Qeverisë së Kosovës janë, Albulena Haxhiu-Ministre e Drejtësisë, Hykmete Bajrami-Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Inovacionit, Rozeta Hajdari-Ministër i Ekonomisë, Punësisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe i Investimeve Strategjike, Vlora Dumoshi-Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Emilia Rexhepi-Ministre Administrimit të Pushtetit Lokal.

Qeveria paraprake kishte dy ministre femra, njëra prej të cilave nuk e kishte çuar mandatin deri në fund.

Kujtojmë se sot u votua edhe Qeveria Kurti me 66 vota për dhe 10 abstenime, pas disa orësh debat nga opozita, të cilët e lëshuan sallën e Kuvendit pak para votimit të qeverisë./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/vlora.citaku.1/posts/10156605060387414