Në muajin e fundit u shtua dukshëm numri i vjedhjeve në vendin tonë, duke rrezikuar pasurinë e tjetrit, mirëpo të pakta ishin rastet kur hajnat këto vepra penale i kryenin me armë zjarri dhe duke e rrezikuar jetën e tjetrit, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u shënua më datë 9 dhjetor, pas mesnatës, ku dy punëtorë të pompës së derivateve “Shell Petrol”, në Drenas, kanë njoftuar policinë se ata ishin grabitur.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda kompanisë në fjalë, të dyshuarit ishin të maskuar dhe armatosur me revole, ku nën kërcënimin e armës viktimave ua kanë grabitur 750 euro dhe më pas kanë ikur në një drejtim të panjohur.
Njësitet përkatëse të policisë dhe hetuesit kanë ndërmarrë të gjithë veprimet hetimore, mirëpo deri më tani nuk janë identifikuar të dyshuarit.
Siç bëjnë të ditur burimet brenda “Shell Petrol”, të dy punëtorët ndonëse ishin nën kërcënim të armës, ata nuk kishin pësuar ndonjë lëndim trupor.