Një grabitje e armatosur ka ndodhur dje në një institucion financiar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali nga burime brenda Policisë së Kosovës merr vesh se i dyshuari nën kërcënimin e armës ka arritur që t’i grabis 10 mijë euro kesh.
Lajmin për këtë grabitje e ka konfirmuar dje zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 15:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë . Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një i dyshuar që po ashtu dyshohet të kishte dhe armë me vete ka grabitur një vlerë të caktuar parash dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit”, ka thënë Ahmeti. /Gazeta Sinjali/