image GLPS: Mangësi të mëdha në Projektligjin për Zyrtarë Publik dhe atë për Paga

GLPS: Mangësi të mëdha në Projektligjin për Zyrtarë Publik dhe atë për Paga

news image

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) si organizatë e specializuar në fushën e administratës publike përmes platformës së konsultimeve publike është njoftuar rreth ndryshimeve të kornizës ligjore të administratës, përkatësisht Projektligjit për zyrtarët publik dhe Projektligjit për pagat në sektorin publik.

GLPS përmes një komunikate për media ka shpalosur të gjeturat lidhur me këto dy Projektligje.

“Sa i përket Projektligjit për zyrtarët publik, vlerësimi ynë për ndryshimet e bëra përmes këtij projektligji është se të njëjtat janë mjaftë serioze dhe në fakt e ndryshojnë komplet konceptin e shërbimit civil përmes: zëvendësimit të sistemit të zhvillimit të karrierës në sistem të pozitës, vendosjes së kontratave të afatshme prej 4 viteve për pozitat menaxheriale, rikthimit të mekanizmit të ushtruesve të detyrës, degradimit dhe listave pritëse, dhe duke bërë rregullime për transfere të cilat mundësojnë ndërhyrje politike dhe jo-meritokraci si në pranimin e nëpunësve ashtu edhe në menaxhimin e tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas GSLP-s këto ndryshime përveç se nuk janë në pajtim me parimet e SIGMA/OECD të njëjtat praktikisht lejojnë diskrecion të politikës ditore për të ndërhyrë në shërbimin civil dhe përfundimisht për të cenuar qëndrueshmërinë e vet administratës publike e cila sinjifikohet me vet shërbimin civil.

“Këto ndryshime do të prodhojnë pasoja zingjirore dhe mund të shërbejnë si precedent për të ndërhyrë në shërbimin civil nga secila qeveri”.

Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publik të fokusohen vetëm në ato që janë përcaktuar në aktgjykimin Nr. KO203/19 të Gjykatës Kushtetuese ndërsa ndryshimet tjera të bazohen në evidencë dhe përmes hartimit fillimisht të politikave duke përzgjedhur opsionin i cili është më i rekomanduari për zgjidhjen e problemeve të identifikuara. Institucionet përkatëse të fokusohen dhe mobilizohen në zbatimin e legjislacionit për zyrtarët publik dhe jo në zgjidhje afatshkurtra të cilat mund të sjellin pasoja të dëmshme dhe precedentë të rrezikshëm dhe dëme të pariparueshme në shërbimin civil, dhe në tërë administratën publike”, thuhet tutje.

/GazetaSinjali/