image Gjyqtari i Prizrenit konfirmon pjesëmarrjen në dasmë, tregon se ku u mbajt ahengu

Sociale

Gjyqtari i Prizrenit konfirmon pjesëmarrjen në dasmë, tregon se ku u mbajt ahengu

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se Shaban Shala, gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka marrë pjesë në një dasmë. Një ditë pas publikimit të artikullit, në Sinjali është lajmëruar gjyqtari Shala i cili e ka sqaruar pjesëmarrjen e tij në këtë aheng familjar, në kohë pandemie.

Shala tha për Sinjalin se dasma është mbajtur në Kukës të Shqipërisë dhe nuk ka të bëjë asgjë me masat e Qeverisë së Kosovës. Madje ai tha se duke raportuar për pjesëmarrjen e tij në këtë aheng, po i bëhet dëm.

“Kjo dasmë është mbajtur në Kukës. Nuk ka të bëjë me vendim të Qeverisë në Kosovë. Desha me sqaru këtë informacion, sepse na bëni dëm”, tha Shala për Sinjalin.

Megjithkëtë as në Shqipëri gjendja me koronavirus nuk është e mirë. Në raportin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë atje thuhet se janë konfirmuar afër 1 mijë raste të reja me këtë virus.  

Pavarësisht se dasma është mbajtur në Kukës, rregullat e reja detyrojnë dasmorët kosovarë që para hyrjes në Kosovë t’i paraqesin disa dëshmi, si certifikatën e vaksinimit ose testin negativ. Këto masa janë marrë për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.

/GazetaSinjali/