image Gjyqtarë dhe prokurorë serbë lënë pozitat: Kolegët tanë shqiptarë morën përsipër rastet

Politikë

Gjyqtarë dhe prokurorë serbë lënë pozitat: Kolegët tanë shqiptarë morën përsipër rastet

news image

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë sot kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si dhe stafi administrativ në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabasiq, ka thënë se këtë e kanë bërë të gjithë serbët nga gjyqësori, përfshirë stafin administrativ dhe gjyqtarët.

“Ky është realizimi i njoftimit që kam bërë pak ditë më parë. Sot, të gjithë gjyqtarët dhe ata që nuk arritën të dërgonin dorëheqjet nga emailet zyrtare dje, e bënë këtë. Kolegët tanë shqiptarë, gjyqtarët dhe punonjësit e administratës mbeten në gjykatë dhe të gjithë serbët edhe stafi administrativ edhe gjyqtarët dhanë dorëheqje. Ne vetëm presim të shohim se si mund ta shlyejmë borxhin me lëndët, me pajisjet që kemi marrë hua si dhe me zyrat”, tha Kabasiq.

Kabasiq shtoi se ai personalisht nuk do të kthehet kurrë në drejtësinë e Kosovës, shkruan Kosovo-online.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicën Veriore, Liljana Stevanoviq, ka deklaruar se në atë gjykatë kanë lënë shërbimin rreth 150 persona. Ajo shtoi se në gjykatë kanë mbetur vetëm kolegë shqiptarë.

“Kemi kaluar gjithë mëngjesin duke negociuar me kolegët tanë. Kolegët tanë shqiptarë kanë marrë përsipër raste të natyrës urgjente. Ne jemi munduar t’i ndihmojmë në çdo gjë. Asnjëherë nuk kemi pasur problem me kolegët tanë, kemi bërë mirë punën, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar. Kjo ishte gjykata më e mirë në rezultate dhe e vetmja gjykatë multietnike në Kosovë”, tha Stevanoviq.

/GazetaSinjali/