Ekspertët e balistikës, Lutfi Raci dhe Tefik Hoti, janë dëgjuar të mërkurën, në gjykimin ku Gani Kriezi, po akuzohet se në shkurt të 2020-ës në Bërnjak të Rahovecit, e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllanë e tij, B.K.
Fillimisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti Raci, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ramiz Buzhala, tregoi se çfarë konstatime ka nxjerrë nga ekspertiza që ia ka bërë armës “Crvena Zastava”, fishekëve dhe gëzhojës që i kishte objekt ekspertimi.
“Bazuar në rezultatet e ekspertimit kemi konstatuar se arma-pistoleta objekt ekspertimi është testuar dhe ka qenë funksionale”, tha eksperti Raci.
Ai tha se nga testet e bëra me armën, janë krahasuar me gëzhojën që ka qenë objekt ekspertimi, dhe se nga ai krahasim ka rezultuar se gëzhoja është shkrepur nga pistoleta “Crvena Zastava”.
Ndërsa, kur është pyetur se a mund të konstatohet koha se kur është shkrepur arma, eksperti tha se divizioni i tyre nuk e bën këtë ekspertizë, por një divizion tjetër brenda Agjencisë Kosovare të Forenzikës.
Më pas, në këtë seancë është dëgjuar eksperti tjetër, Tefik Hoti, i cili ka bërë ekspertizën për armën tjetër të tipit “Zoraki”, shkruan Betimi për Drejtësi.
Eksperti tha se nga testimet që i kanë bërë armës ka rezultuar se e njëjta është funksionale dhe gjuan në mënyrë gjysmë automatike, mirëpo tha se arma në fjalë është konvertuar, që do të thotë se fillimisht është prodhuar për shkrepje të fishekëve të gazit, pastaj të njëjtës i është modifikuar tyta, që të bëhet shkrepja e fishekëve të një kalibrit 7.14x17mm.
Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 2 gusht 2022, ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë, si dhe ekspert të ADN-së.
Në këtë seancë, trupi gjykues e ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Afrim Radoniqi, që të akuzuarit t’i zëvendësohet masa e sigurisë në arrest shtëpiak.
Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.
Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.
Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.