Gjykata Themelore në Prizren sot e ka dënuar me burgim të përjetshëm Bajram Veliajn për vrasjen e bashkëshortes së tij me 14 plumba.
Ngjarja ka ndodhur më 6 gusht të vitit 2019, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas komunikatës që e ka lëshuar Gjykata në Prizren, i akuzuari e kishte mbuluar bashkëshorten me fustanin e saj dhe kishte pritur policinë.
“Me datë 06 gusht 2019, rreth orës 23:18 minuta në Prizren, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.A.-V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishte me bashkëshorten e tij, tash të ndjerën A.A.-V., e në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, dhe del nga shtëpia e tij, e në momentin kur e vëren viktimën – bashkëshorten e tij A….., i afrohet asaj, e drejton pistoletën në drejtimin e saj, shtënë 15 herë në drejtimin e saj, me ç ‘rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë, nga goditja e predhave viktima rrëzohet për toke, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarje, ku pastaj i pandehuri viktimën e mbulon me një fustan të saj dhe e pret ardhjen e Policisë”, thuhet në komunikatë.