Gjykata shpall aktgjykim dënues ndaj një R.M. i cili në cilësi të zyrtarit të lartë akuzohet për veprën penale ‘mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare“.
Ai dënohet me 800 euro gjobë, raporton Gazeta Sinjali.
Dënim me GJOBË në shumën prej 800 (tetëqind) euro (të cilën i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e lartëcekur, ky dënim do të ekzekutohet në mënyrë të dhunshme ashtu që do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro ditën, respektivisht 40 ditë burgim).
-Dënim me BURGIM (me kusht)- ashtu që gjykata i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 1 viti, në rast se i akuzuari nuk kryen vepre të re penale.
Njoftimi i Gjykatës Themelore në Prizren:
Gjykata shpall aktgjykim dënues ndaj një (1) të akuzuari për veprën penale mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare
Prizren, 16 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm (gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi), ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit R.M., për shkak se:
- Nga data 01.03.2019, deri me 31.03.2019, i pandehuri R.M., në cilësi të zyrtarit të lartë publik, i kualifikuar sipas nenit 1 (par. 1, p.1.1) të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar në formularin për deklarimin e pasurisë nr. DRV ….. të datës 28.03.2019, të paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, nuk bën deklarimin në zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare të prindit të tij H.M., si dhe të hyrat nga këto aksione, të dhëna këto të domosdoshme për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik
- kësodore ka kryer veprën penale mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 437 par.2 i KP-së.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar: - Dënim me GJOBË në shumën prej 800 (tetëqind) euro (të cilën i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e lartëcekur, ky dënim do të ekzekutohet në mënyrë të dhunshme ashtu që do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro ditën, respektivisht 40 ditë burgim).
- Dënim me BURGIM (me kusht)- ashtu që gjykata i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 1 viti, në rast se i akuzuari nuk kryen vepre të re penale.
I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.