image Gjykata në Prizren merr vendim ndaj personit i cili e kërcënoi nënën e tij me sëpatë

Drejtësi

Gjykata në Prizren merr vendim ndaj personit i cili e kërcënoi nënën e tij me sëpatë

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurit E.F nga Prizreni, pasi që i njëjti e ka kërcënuar nënën e tij me sëpatë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ndaj të dyshuarit caktohet masa e paraburgimit për shkak të kryerjes së veprës penale “Kanosje”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 16.11.2020 deri me datën 15.12.2020”.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale,  në ambientet familjare – shtëpinë, ku pas fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve që i pandehuri kishte me të dëmtuarën – nënën e tij, e kanos se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që pasi i pandehuri i kërkon para nënës së tij dhe e njëjta nuk kishte para për t’i dhënë, i pandehuri revoltohet dhe me përdorim të mjetit të rrezikshëm, duke e marrë sëpatën e kanos të dëmtuarën – nënën e tij, me ç‘rast te e dëmtuara shkakton frikë, pasiguri, ankth për jetën e saj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.

Tutje, gjykata ka njoftuar se “kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”./Gazeta Sinjali/