Gjykata Themelore në Prizren, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit I.G., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Më datën 15 korrik, në orët e pasdites në autostradën “Ibrahim Rugova” në pjesën Suharekë – Prizren, i pandehuri I.G., duke drejtuar automjetin e tij, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, duke mos e përshtatur shpejtësinë ndaj kushteve dhe rrethanave të rrugës, i pandehuri I.G., e humb kontrollin e automjetit të tij duke e goditur automjetin e të dëmtuarit, M.N., ku përveç dëmeve material, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Duke i marrë parasysh faktet e lartcekura, gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase i dëmtuari M.N., është në gjendje të rëndë shëndetësore, gjendja e të cilit është në rrezik në jetë dhe është në trajtim intensiv të QKUK-së, në Prishtinë.
“Nga të lartë cekurat me lënien në liri të pandehurit do të ndikonte negativisht në ambientin ku jeton i pandehuri si dhe më gjerë, ashtu që caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për rrjedhën normale të kësaj procedure penale”, është thënë në njoftim./GazetaSinjali/