Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘dhunë në familje’, raporton Gazeta Sinjali.
Gjyqtari i procedurës, Gani Kastrati, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 26.01.2021 deri me datën 25.02.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Me datë 25 janar, në shtëpinë familjare, i pandehuri F.B., në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që i pandehuri shkon i dehur në shtëpi, fillon ta fyej të dëmtuarën me fjalë ofenduese, dhe pastaj fillon duke e kanosur, “Unë jam egjeli yt, kam me ta nxjerr unë burgun ty”, e dëmtuara largohet nga shtëpia, pastaj kthehet pas 30 minutave, ku përsëri i pandehuri vazhdon me fyerje dhe fjalë ofenduese, aty ndërhyn djali i të pandehurit dhe e largon të pandehurin F.B., nga dhoma.
Po ashtu, më datë, 26 janar në shtëpinë e tyre familjare, i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarit, djalit të tij në atë mënyrë që, deri sa i dëmtuari, djali i tij, ishte duke biseduar me nënë e tij, në ato momente ndërhynë i pandehuri, në prezencë të anëtarëve tjerë të familjes duke e kanosur se “të mbys me thikë” me ç ’rast tek i dëmtuari, djali i tij ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masat tjera pos masës së paraburgimit (arresti shtëpiak apo masa e paraqitjes në stacion Policor), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, ambientin e kryerjes së veprës penale, marrëdhëniet e acaruara ndërmjet të pandehurit dhe viktimës, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.