Ish-gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe ish-polici Blerim Gashi janë dënuar me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, pasi janë shpallur fajtor për korrupsion.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ismajli dhe Gashi obligohen të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore, shumën prej 100 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
“Gjykata në harmoni me nenin 62 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës KPRK, të akuzuarve R.I dhe B.G iu shqipton dënim plotësues Ndalimi ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve pas ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit”, thuhet në një komunikatë për media.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.
Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.
Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.
E pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit, me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj tyre të shqiptohen dënime më të ashpra.