Gjykata në Prizren ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik ndaj Miran Halilit, të riut nga Prizreni që dyshohet se ka vrarë me thikë babain e tij në Prizren, më 25 dhjetor 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndaj të njëjtit në qershor të këtij viti, Prokuroria ka parashtruar propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor. Pas këtij propozimi, më 6 gusht, Gjykata në Prizren ka marrë aktvendim dhe ndaj të dyshuarit ka shqiptuar këtë masë dhe i njëjti do të trajtohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës. Kjo masë do të zgjasë deri në përmirësimin e gjendjes së tij.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Gjykata ka obliguar Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në Prishtinë, që për çdo ndryshim të gjendjes psikike të kryesit të veprës penale, M.H., të lajmërojë Prokurorin e Shtetit (Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamentin e Krimeve të Rënda), dhe Gjykatën Themelore në Prizren, si dhe çdo 6 muaj të dërgojë raport me shkrim lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të kryesit e veprës penale.
Lidhur me vendimin e shqiptuar ju njoftojmë se paraprakisht, në seancën e datës 27 korrik, pas marrjes së mendimit të dy (2) ekspertëve, gjykata kishte marrë vendim se i pandehuri M.H., nuk është i aftë për t’iu nënshtruar gjykimit dhe procedura penale ka vazhduar pa prezencën e tij.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Sinjali.
Sipas gjykatës, Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, ka vërtetuar se ekipi i ekspertëve, ka dhënë konstatimin se te i ekzaminuari konstatohet çrregullim kronik mendor dhe se i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta.
Kujtojmë se më 25 dhjetor 2020, rreth orës 13:50 minuta në Prizren, Miran Halili, kishte privuar nga jeta babain e tij, në atë mënyrë që pas mosmarrëveshjes që i kishte me të, kishte dalë në rrugën para shtëpisë së tij dhe e ka goditur 12 herë me thikë, duke e lënë të vdekur.