image Gjykata merr vendim përfundimtar për ferizajasen që u akuzua se e vrau ish të dashurin e saj

Drejtësi

Gjykata merr vendim përfundimtar për ferizajasen që u akuzua se e vrau ish të dashurin e saj

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim përfundimtar për të akuzuarën, Mimoza Pajaziti, e cila ngarkohej me veprat “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, Pajaziti është dënuar me 17 vjet burgim për vrasjen e ish të dashurit të saj, ndërsa me 2 vjet për armëmbajtje pa leje, në total 18 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2020, nga prokurorja Sebahate Sinani, Mimoza Pajaziti akuzohet se më 31 gusht 2018, në Ferizaj, përkatësisht në afërsi të restorantit “Ujëvara“, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura me përgatitje paraprake, fillimisht vihet në kontakt me tani të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon nga i njëjti që të takohen, duke mos i dhënë ndonjë arsye konkrete, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktit akuzues, në ditën kritike, në kohën dhe vendin e lartshënuar, lë takim me të, e më pas me t’u takuar, me veturën e tij të markës “Land Rover” futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës, e qëllon dy herë me armë zjarri të markës “Crevna Zastava M57”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ajo e qëllon një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse, ndërsa menjëherë pas kryerjes së veprës penale, e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë.

Pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18 dhjetor 2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu sipas aktakuzës, Pajaziti akuzohet se në ditën kritike, pa autorizim dhe leje përkatëse, ka poseduar armë zjarri të tipit pistoletë “Crevna Zastava M57” me kalibër 7.66 mm, si dhe një karikator me 5 copë fishekë të kalibrit 7.62mm, të cilat ditën kritike gjenden dhe sekuestrohen nga ulësja e parë e veturës së të ndjerit A.K.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/