image Gjykata në Gjilan merr vendim për të dyshuarin që u kap me mbi 5 kg marihuanë - Sinjali

Gjykata në Gjilan merr vendim për të dyshuarin që u kap me mbi 5 kg marihuanë

news image

Gjykata Themelore në Gjilan e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj R.B., i cili po dyshohet për “Posedim të substancave narkotike”, raporton Gazeta Sinjali.

Ai u arrestua gjatë mëngjesit të së dielës, kur bashkë me një person tjetër, dyshohet se po transportonin marihuanë.

R.B., u arrestua në fshatin Llabjan, kur Policia ndaloi veturën e tyre, ndërsa i dyshuari tjetër arriti të largohet nga vendi i ngjarjes.

Derisa Policia po e ndiqte me veturë, ai ka hedhur në rrugë çantën në të cilën ndodheshin 5 kg e 185 gramë marihuanë dhe 925 euro para të gatshme, të cilat janë konfiskuar nga Policia.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.01.2022, rreth orës 08:00 minuta, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, i pandehuri së bashku me të dyshuarin N. N., pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Të njëjtit nuk i binden urdhrave të patrullës policore dhe ikin me shpejtësi, ashtu që gjatë ndjekjes së veturës nga ana e zyrtarëve policor, arrijnë të ndalojnë veturën dhe të arrestojnë të pandehurin R. B., ndërsa i dyshuari N. N. arrit të largohet nga vendi, por gjatë ndjekjes i njëjti e hedh çantën me substancë narkotike, duke ikur në drejtim të panjohur. Me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 185 gram marihuanë dhe një shumë të hollave 925 Euro”, thuhet në komunikatën e gjykatës së shkallës së parë.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i dyshuari N.N. vazhdon të jetë në arrati.

“Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, pasi që po të gjendet në liri mund të i ikë ndjekjes penale”, thuhet më tej në komunikatë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin