image Ky është vendimi i gjykatës për pronarin e kompanisë që dyshohet se vodhi mbi 2 mijë ton grurë nga rezervat e shtetit

Drejtësi

Ky është vendimi i gjykatës për pronarin e kompanisë që dyshohet se vodhi mbi 2 mijë ton grurë nga rezervat e shtetit

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se është arrestuar Bahadir Aksoy, pronar i kompanisë “Universal Food”, për shkak të dyshimit se ka avulluar 2 mijë e 519 ton grurë nga rezervat shtetërore të Kosovës gjatë vitit 2019.

Arrestimi i tij u bë më 15 janar të këtij viti, pas dhjetë muajsh hetime nga Prokuroria Speciale për veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ia ka caktuar atij masën e paraburgimit prej një muaji.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Për veprën penale ‘Shpërdorim i pasurisë së huaj’ nga neni 330 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj“, tha Gashi.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Speciale, dëmi që dyshohet se kompania e Bahadir Aksoyt i ka shkaktuar shtetit të Kosovës është 615 mijë euro.

Gazeta Sinjali kishte raportuar se gjatë vitit 2019 shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë të cilën e kishte deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta bartte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.

Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 669 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë./Gazeta Sinjali/