image Gjykata merr vendim për “Patron” nga Prizreni, qëndroi në arrati për 4 muaj pasi iu gjet drogë në shtëpi

Drejtësi

Gjykata merr vendim për “Patron” nga Prizreni, qëndroi në arrati për 4 muaj pasi iu gjet drogë në shtëpi

news image

Patriot Morina nga Prizreni, i njohur me nofkën “Patro”, i cili dyshohet për posedim të drogës ka përfunduar të premten në prangat e Policisë, pas disa muajsh në arrati. I riu dyshohet për rastin e 1 dhjetorit 2021, kur Policia në Prizren gjeti drogë në shtëpinë e tij. “Patro” është dërguar në mbajtje nga 25 marsi dhe ndaj tij është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, të cilën e ka aprovuar Gjykata Themelore në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj. Në një përgjigje me shkrim, Lekaj njoftoi se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila mund të zgjasë deri më 25 prill.

Morina po kërkohej nga Policia që disa muaj si i dyshuar për posedim dhe shit-blerje të drogës, pasi në shtëpinë e tij më 1 dhjetor të vitit të kaluar u gjet marihuanë e kokainë.

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti me datë 01 dhjetor 2021, në orët e mbrëmjes në Prizren, në shtëpinë familjare, pa autorizim blen, posedon, shet dhe shpërndan substanca narkotike të cilët janë shpall me ligj si narkotik në atë mënyrë që pas realizimit të një urdhërese për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren për kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse e të pandehurit P.M., në dhomën e ndejës së shtëpisë në prezencë të prindit – babait të tij, janë gjetur:

– substanca narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 0.59 gr,

– 7 (shtatë) qese najloni të zbrazura,

2 (dy) foli, 1 (një) alumini dhe 1 (një) najloni,

– 1 (një) qese najloni me 7 (shtatë) foli alumini me substancë narkotike e llojit ëmarihuanë me peshë prej 9.96 gr.,

– substancë e narkotikut e llojit marihuanë në peshë prej 0.12 gr.,

– 1 (një) pjatë me mbetje të substancës narkotike të llojit kokainë,

– 1 (një) peshore digjitale Unit king ngjyrë e bardhë, në banjo të shtëpisë te sholja e ujit janë gjetur edhe 4 (katër) qese najloni,

– 3 (tre) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 661.15 gr., ndësa në dhomën e gjumit është gjetur 1 (një) boks hekuri dhe 1 (një) thikë ngjyrë e gjelbër.”

“Patro” dyshohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi që posedon drogë mund të dënohet me burgim deri në 8 vjet.

“Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/