image Gjykata merr vendim për biznesmenin që kanosi zyrtarët e komunës së Prizrenit

Drejtësi

Gjykata merr vendim për biznesmenin që kanosi zyrtarët e komunës së Prizrenit

news image

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Granit Paçarizit – Biznesmenit që i kanosi zyrtarët e Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit .

Paçarizi dyshohet se ka ushtruar presion dhe ka kanosur personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit.

Kjo nuk është hera e parë që biznesmeni ka probleme me ligjin, pasi në vitin 2013 ai ishte përfshirë në një përleshje me armë zjarri, ku ishin plagosur disa persona.

Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.

Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

E më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti kishte falur tre persona të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Njëri nga të dënuarit që u fal nga Thaçi ishte edhe biznesmeni, Granit Paçarizi. Nga 2 vite e gjysmë sa ishte dënuar, atij i ishin falur 1 vit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/