image Gjykata merr vendim për babain dhe të birin që rrahën familjarët e tyre në Mamushë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për babain dhe të birin që rrahën familjarët e tyre në Mamushë

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve E.B. dhe S.B., për shkak të dyshimit se ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, kurse i pandehuri S.B., dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo masë, sipas njoftimit të gjykatës, do t’u llogaritet të pandehurve nga 18 maji deri më 18 qershor të këtij viti.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve E.B., dhe S.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Më 3 maj 2021, në Mamushë, të pandehurit, të cilët janë babë e bir mes vete, dyshohen se në bashkëkryerje i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore familjarëve të tyre nënës/gruas dhe djalit/vëllait.

Sipas gjykatës, e gjitha nisi pas një mosmarrëveshje që i pandehuri S.B., kishte me bashkëshorten e tij, e cila është nëna e të pandehurit E.B.

Bashkëshorti S.B. dhe i biri i tij E.B., dyshohet se e kanë goditur me grushte nëpër trup të dëmtuarën, pastaj E.B. e dyshohet se e ka tërheq zvarrë nënën e tij nga vendi ku ka ndodhur konflikti e deri në dhomën tjetër dhe pastaj e ka goditur me shuplakë në fytyrë edhe vëllain e tij, duke u shkaktuar të dyve lëndime të lehta trupore.

Po ashtu, Gjykata Themelore në Prizren njofton se i pandehuri S.B., deri më 17 maj të këtij viti, në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi dhe në posedim pesë pistoleta, 317 fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe dy fishekë të kalibrit të panjohur, në kundërshtim me Ligjin për armët të Republikës së Kosovës dhe pa autorizim të organit kompetent.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që procedura hetimore është në fazën fillestare dhe më tutje duhet të të dëmtuarit dhe të merren prova tjera me qëllim të zbardhjes së ngjarjes”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjyqtarja e ka mbështetur këtë aktvendim edhe në faktin se nënë e bir kanë raportuar se kanë qenë viktima të dhunës nga të pandehurit edhe më herët dhe se ata janë larguar nga shtëpia, për shkak të frikës për jetën dhe sigurinë e tyre.

Po ashtu, gjyqtarja ka përmendur edhe kërcënimet se të pandehurit nuk do të lejojnë që e dëmtuara të kthehet në shtëpi.

“Andaj duke marrë parasysh të lartëcekurat, si dhe sigurinë e të dëmtuarve, është mendimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Gazeta Sinjali/