image Gjykata merr vendim për 16 të arrestuarit për fajde në Pejë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për 16 të arrestuarit për fajde në Pejë

news image

Sot kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake të dyshuarit që u arrestuan gjatë ditës së djeshme, në aksionin kundër fajdeve që zhvilloi Prokuroria Themelore në Pejë.

Sinjali mëson se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit, prej 30 ditëve.

“Ndaj të pandehurve Kismet Krasniqi, Isa Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Driton Podrimçaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimusaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon Kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj, Astrit Kastrati, caktohet masa e paraburgimit e cila mund të zgjas nga data 22.02.2022 nga ora 08:30 e gjer me datë 22.03.2022”, thuhet në vendim.

Gjatë aksionit të zhvilluar dje, përveç arrestimit të të dyshuarve, janë sekuestruar edhe 45 mijë e 700 para të gatshme, 10 vetura, 12 armë të zjarrit, mbi 540 fishekë dhe 15 telefona.

Sinjali raportoi se nga arrestimet pritet të zbulohen detaje për ngjarjen tragjike të 14 shtatorit të vitit të kaluar, vetëvrasjen e 36-vjeçarit Baton Berisha. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se arrestimi i të dyshuarve pritet të zbulojë se kush i bëri presion të riut që i dha fund jetës së tij.

Ndryshe, prokurorja Sahide Gashi, në konferencë njoftoi se shuma që është ngrirë në këtë rast përllogaritet të jetë më shumë se 5 milionë euro.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/