image Gjykata merr vendim ndaj 3 të dyshuarve që trafikuan një vajzë në Gjilan

Drejtësi

Gjykata merr vendim ndaj 3 të dyshuarve që trafikuan një vajzë në Gjilan

news image

Gazeta Sinjali mëson se Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për “Trafikim dhe shërbime seksuale ndaj viktimës së trafikimit”.

Bujar Haziri, Besfort Abazi dhe Hajrulla Bejta dyshohen se në disa lokacione të ndryshme në Gjilan, për qëllime të shfrytëzimit seksual, kanë trafikuar viktimën A.H., ashtu që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm, në mesin e tyre edhe dy të dyshuarve.  

Si u trafikua dhe u detyrua të ofrojë shërbime seksuale viktima në dy motele, në Gjilan e Ranillug?

Në dy muajt e parë të këtij viti, Bujar Haziri dhe Besfort Abazi, dyshohen se e kanë trafikuar një femër (emër i njohur për redaksinë) me qëllim të shfrytëzimit seksual, në ish-motelin “Demi” në fshatin Malishevë të Gjilanit, si dhe në motelin “Amfora”, të fshatit Domorovc, në komunën e Ranillugut.

Fillimisht i dyshuari Bujar Haziri e kishte telefonuar viktimën dhe më pas e kishte dërguar në një kafeteri të fshatit Dobërqan të Gjilanit, ku aty janë takuar me të dyshuarin Besfort Abazi. Ky i fundit dyshohet se e ka marrë viktimën nga aty dhe bashkë me të dyshuarin tjetër Hajrulla Bejta e kanë dërguar në motelin “Amfora”.

Viktima së pari dyshohet se ishte detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me Besfort Abazin. Në dhomën ku dyshohet se ndodhi ngjarja, më pas kishte hyrë Hajrulla Bejta, i cili po ashtu dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, pa dëshirën e saj. Pas reagimeve të viktimës, dyshohet se Bujar Abazi i ka dhënë asaj 20 euro.

Të njëjtat burime njoftojnë për Sinjalin se një ngjarje e tillë dyshohet të ketë ndodhur edhe në mes të muajve maj e qershor të këtij viti. Në dy motelet që u përmendën më lartë, Bujar Haziri dyshohet se e ka trafikuar viktimën, ndërsa i dyshuari Besfort Abazi kishte kryer disa herë marrëdhënie seksuale me të. Për këto shërbime, Abazi dyshohet se e kishte paguar Hazirin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/