image Gjykata Kushtetuese hap thirrje që të nominohen kandidatët për një gjyqtar

Drejtësi

Gjykata Kushtetuese hap thirrje që të nominohen kandidatët për një gjyqtar

news image

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, më datë 2 prill 2021, ka publikuar thirrjen për nominimin e kandidatëve për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në pajtim me nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (Nr. 2008/03-L-121), ky komision fton Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucionet gjyqësore, fakultetet juridike, Odën e Avokatëve, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, partitë politike, personat e tjerë relevantë juridikë dhe individët, që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në këtë thirrje publike bëhet e ditur se një person mund të propozojë edhe veten për kandidat për këtë pozitë.

Komisioni në mënyrë të veçantë bëhet e ditur se do ta ketë në konsideratë përmbushjen e parimit për barazi gjinore për kandidim, sipas kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj.

Kandidatët për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës; juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional, me jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë pune profesionale, veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civilë ose mësimdhënës universitarë dhe punë të tjera të rëndësishme të natyrës juridike, individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për ndonjë vepër penale.

Të gjitha propozimeve dhe aplikacioneve për nominime, duhet t’u bashkëngjiten dokumentet si vijon:

  1. a) Formulari për nominimin e kandidatit;
  2. b) Formular të deklarimit të të nominuarit;
  3. c) Curriculum Vitae (C.V) (autobiografia);
  4. d) Letra e motivimit nga organizata ose institucioni propozues;
  5. e) Dëshmia se është shtetas i Republikës së Kosovës;
  6. f) Dëshmia për përgatitjen shkollore dhe profesionale;
  7. g) Dëshmia për përvojën e punës;
  8. h) Dëshmia se nuk janë të dënuar për ndonjë vepër penale.

Nominimet dhe aplikacionet duhet të dërgohen jo më vonë se deri më 21 prill 2021, në orën 16:00.

Nominimet dhe aplikacionet dërgohen personalisht në adresën: Ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Prishtinë – Rr. “Nëna Terezë”, Drejtoria e Personelit, Zyra N-217.

Forma e shtypur e aplikacionit mund të merren në shërbimin përkatës të administratës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose forma elektronike: në ueb- faqen e Kuvendit të Republikës së Kosovës – www.assembly-kosova.org./Gazeta Sinjali/