image Gjykata dënon me burg të akuzuarit për aksidentin zinxhiror me të vdekur në Gjilan

Kosovë

Drejtësi/ Gjykata dënon me burg të akuzuarit për aksidentin zinxhiror me të vdekur në Gjilan

news image

Gjykata Themelore në Gjilan i ka shqiptuar dënim prej 4 vjet e 8 muaj të akuzuarit M.A., dhe 2 vjet e 8 muaj burgim të akuzuarit tjetër, V.T, për shkak të aksidentit zinxhiror që ndodhi vitin e kaluar në Gjilan, ku mbetën të vdekur 2 persona dhe 23 të tjerë u lënduan.

“Më 07.03.2019 rreth orës 14:05 në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri Mustafë Avdija ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, ashtu që duke drejtuar automjetin për transport të markës “Scania”, pronë e Kompanisë “VEV Group” Prishtinë, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore mbi Ligjin e trafikut rrugor, kyçet në rrugën kryesore nga parkingu i pemëtarisë “Mentori” në drejtim të qendrës së qytetit, e humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, pasi që nuk arrin të frenojë, si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të frenimit si tërësi, shkakton aksident zinxhiror, nga i cili aksident humb jetën i ndjeri Q. Ç. dhe F. I. dhe lëndohen 23 persona, si dhe shkaktohen dëme materiale. Ndërsa, i pandehuri V. T. si person përgjegjës i Kompanisë “VEV Group”, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund shkaktohet si rezultat i veprimit apo mos veprimit të tij, por me mendjelehtësi ka menduar se ajo nuk do të shkaktohet, duke e lejuar automjetin e tij të dalë në qarkullim në rrugë publike dhe si pasojë shkaktohet aksidenti i lartcekur”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në bazë të dispozitave ligjore, gjyqtari ka konfiskuar automjetin transportues në fjalë, si mjet me të cilin është kryer vepra penale./Gazeta Sinjali/