Një 80 vjeçar nga fshati Studenicë e Komunës së Istogut ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. Lajmin e ka konfirmuar mbrëmjen e së mërkurës IKSHPK përmes një njoftimi për media.
Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, për Gazetën Sinjali ka thënë se janë gjurmuar kontaktet e 80-vjeçarit dhe se familja e tij si dhe taksisti që e ka bartur për në spital janë izoluar.
“Është izoluar familja e tij dhe një taksist që ka udhëtuar me të. Instituti po i kryen punët tutje dhe do t’i testojnë. Do të testohen familja e të prekurit me koronavirus dhe taksisti”, ka thënë Osmanaj.
Tutje, Osmanaj theksoi i infektuari nga Studenica nuk kishte shkuar për t’u testuar nga QKMF-ja e Istogut, por nga Peja.
“Është rast që nuk ka qenë në QKMF në Istog, ka pasur problem me mushkëri, ka qenë në pacient kronik. Ai ka shkuar për kontroll në Pejë, prej atje e kanë dërguar për testime për koronavirus pasi kanë dyshuar se është i prekur sepse ka pasur simptoma”, ka thënë ai.
Ndryshe, ky është rasti i dytë i konfimuar me Covid-19 në Istog, pasi rasti i parë ishte një 39 vjeçare nga fshati Lluga, e cila ndërroi jetë më 13 prill në Spitalin Infektiv në QKUK, ku po trajtohej.
Ndërsa, në Kosovë numri i personave të prekur me koronavirus ka shkuar në 423, prej tyre 71 persona janë shëruar, derisa 10 prej tyre kanë vdekur.
Viktima e 10-të është konfirmuar sot nga Ministria e Shëndetësisë./GazetaSinjali/