Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i është përgjigjur ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stubllës, për komentin e saj rreth librit shovinist në takimin mes komisionerit evropian, Oliver Varhelyit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Jam i vetëdijshëm se trashëgimia e krishterë është një temë e dhimbshme për ju, sepse ekstremistët shqiptarë dogjën rreth 150 kisha ortodokse serbe në 1999 dhe 2004″, ka shkruar Gjuriq në llogarinë e tij në Twitter.
Haradinaj-Stublla e quajti më shumë sesa skandal diplomatik këtë takim, të ilustruar me anë të një fotografie nga vetë Varhely, e ku shihej libri “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” (Prejardhja e krishterë e Kosovës dhe Metohisë).
Ministrja ka vazhduar duke thënë se “projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit”.
“Këtë duhet ta ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme. Kosova e 17 Shkurtit nuk preket”, ka shkruar ajo. /Gazeta Sinjali