image Gjuriq e quan Cramonin “dashnore” të Kurtit: Ai është i mirë edhe kur vret - Sinjali

Gjuriq e quan Cramonin “dashnore” të Kurtit: Ai është i mirë edhe kur vret

news image

Ish-vartësi i presidentit Vuçiq që tani shërben si ambasador i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, ka sulmuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për mbështetjen që ajo i ka dhënë aksionit policor kundër kontrabandës në veri.

Gjuriq e ka quajtur eurodeputeten gjermane si “dashnore të kryeministrit Kurti” shkruan B92.

“Në vend se të kundërshtojë aksionin e policisë si eurodeputete, Von Cramon kritikoi Josep Borrellin i cili tha se aksioni ishte i njëanshëm. Von Cramon mendon që disa serbë që janë në Kosovë duhet të jenë njerëz të këqinj, teksa i dashuri i saj Kurti duhet të jetë i mirë edhe kur ai vret”, ka thënë Gjuriq.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës më 13 tetor, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Twitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta të shqiptarëve në profilin e Borrellit në Twitter.

Komentues të shumtë e kanë pyetur se përse duhet të dialogohet në Bruksel luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Reagim ka pasur madje edhe nga Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit. Dalipi ka kërkuar nga Borrell që të mos e portretizojë dhunën e nxitur nga huliganët serbë si problem ndëretnik.

“I dashur z.Borrell, faleminderit për shqetësimin tuaj. Është e rëndësishme që të mos portretizohet dhuna fatkeqe e nxitur nga disa huliganë të orkestuar nga Beogradi, si një problem ndëretnik midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë”, ka shkruar Dalipi./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin