image Gjukanoviq: Formimi i qeverisë së pakicës, opsioni më realist dhe mundësia e fundit

Rajon

Gjukanoviq: Formimi i qeverisë së pakicës, opsioni më realist dhe mundësia e fundit

news image

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, mendon që opsioni më real është që të formohet një qeveri e pakicës, duke shtuar se një qeveri teknike do të ishte mundësia e fundit, vetëm nëse dështojnë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur krizën politike nëpër të cilën po kalon shteti.

“Nëse nuk ka marrëveshje për qeveri të pakicës, me mund të rikthejmë disa prej zgjidhjeve të mundshme: e para është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dhe nëse nuk ka zgjidhje, atëherë ne definitivisht do të hynim në skenarin e formimit të një qeverie kalimtare teknike. Kjo qeveri do të kishte vetëm një detyrë – të përditësojë legjislacionin për zgjedhjet sa më shpejt që të jetë e mundur, që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Gjukanoviq për gazetarët në Bruksel.

Idenë e qeverisë së pakicës po e shtyn përpara kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, ndërkaq krijimin e një qeverie teknike po e kërkon partia pro-serbe, Fronti Demokratik.

Por, presidenti i Malit të Zi tha se beson se në çdo variant, qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e vazhdimit të kursit politik dhe strategjik që shteti ka pasur në 25 vjetët e fundit.

“As ky eksperiment njëvjeçar nuk vuri në pikëpyetje orientimin strategjik të Malit të Zi”, tha Gjukanoviq.

Gjukanoviq e quajti eksperiment Qeverinë e ish-kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, që u shkarkua nga Kuvendi në fillim të shkurtit.

Krivokapiq u zgjodh në krye të ekzekutivit pas fitores në zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020 dhe formoi Qeverinë më 4 dhjetor të po atij viti.

Abazoviq e ka përjashtuar mundësinë që Partia Demokratike e Socialistëve – partia e Gjukanoviqit – dhe Fronti Demokratik të jenë pjesë e një qeverie teknike. /GazetaSinjali/