image Gjokoviq për provokimin ndaj Kosovës: Si një i lindur në Kosovë, ishte më e pakta që munda të bëjë, do ta bëja përsëri

Sporte të tjera

Gjokoviq për provokimin ndaj Kosovës: Si një i lindur në Kosovë, ishte më e pakta që munda të bëjë, do ta bëja përsëri

news image

Novak Gjokoviç ka ndezur polemika në Roland Garros, duke provokuar për shkrimin e një deklarate politike që mohon pavarësinë e Kosovës.

Duke shkruar në një cep të kamerës pasi triumfoi në tri sete ndaj Aleksandar Kovacevic, Gjokoviç shkroi: “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”.

Kosova – një ish-krahinë e Serbisë, e populluar kryesisht nga shqiptarë etnikë – ka qenë e mbështetur nga NATO që nga viti 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, shkruan mediumi britanik Telegraph, përcjell Sinjali Sporti.

Megjithatë, Serbia ka refuzuar të njohë shtetësinë e saj dhe tensionet mes dy rajoneve janë ndezur ditët e fundit, me disa të plagosur në përleshjet e dhunshme midis policisë së Kosovës, paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO dhe serbëve vendas.

Të hënën, dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u lënduan pasi burra serbë i sulmuan me shkopinj në një zyrë komunale në veri të Kosovës.

Pas ndeshjes së tij, Gjokoviç i tha gazetës serbe Blic se ndihej “përgjegjës” për të folur.

“Unë nuk jam politikan dhe nuk kam ndërmend të futem në debate politike,” tha Gjokoviç. “Si serb më dhemb shumë kjo që po ndodh në Kosovë, njerëzit tanë që janë të dëbuar nga komunat, më e pakta që kam mundur të bëj është kjo, ndihem përgjegjës si personazh publik dhe bir i një njeriu që ka lindur në Kosovë, ndjej nevojën për të treguar mbështetje për të gjithë Serbinë.

Megjithatë, komentet e Gjokoviqit shkaktuan një reagim të furishëm nga kosovarët në rrjetet sociale.

Babai i Gjokoviqit, Srdjan, u rrit në një qytet të vogël minierash në Kosovë dhe ka shprehur pikëpamje të ngjashme me djalin e tij në të kaluarën.

Në fillim të këtij muaji, Gjokoviç i tha gazetës italiane Corriere della Sera se donte të kthehej në Kosovë për të pagëzuar fëmijët e tij.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, si dhe organe sportive, duke përfshirë Federatën Ndërkombëtare të Tenisit dhe FIFA.

Në Kupën e Botës dhjetorin e kaluar, Federata e Futbollit të Serbisë u gjobit me 20,230 euro nga FIFA për një bander në dhomën e zhveshjes së ekipit të saj që përshkruante Kosovën si pjesë të Serbisë.

Nuk ka asnjë rregull as në rregulloret e ATP-së, as në rregulloret e ITF Grand Slam që i bllokon në mënyrë specifike lojtarët të bëjnë deklarata politike. Por Gjokoviç i tha shtypit serb se ai “do ta bënte përsëri”, pavarësisht nga pasojat.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë, e di që ka pasur kundërshtime nga gazetarët ndërkombëtarë se a do të më dënojnë, nuk kam asnjë rezervë, do ta bëj përsëri. Unë jam kundër luftërave dhe çdo konflikti, këtë e kam shprehur gjithmonë në publik.

Kjo situatë me Kosovën është precedent sipas statutit të OKB-së dhe të gjitha të drejtave, më vjen shumë keq që jemi në situatën në të cilën jemi, Kosova është vatra jonë, kalaja jonë, aty është bërë beteja më e madhe, manastiret më të rëndësishme ndodhen aty… Ka shumë arsye dhe sidomos sepse është e vërteta”.

Gjokoviç nuk është i panjohur për polemika. Në vitin 2008, pas fitores së tij të parë të madhe, ai regjistroi një video mesazh për një miting “Kosova është Serbi” në Beograd. Vetëm në janar në Australian Open ai doli në mbrojtje të babait të tij, pasi u kritikua shumë për fotot me fansat që mbanin në duar një flamur rus të zbukuruar me fytyrën e Vladimir Putinit.

/GazetaSinjaliSport/