image Gjilani kundër mbylljes totale: Pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve e familjeve

Shëndetësi

Gjilani kundër mbylljes totale: Pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve e familjeve

news image

Komuna e Gjilanit ka kundërshtuar mbylljen totale të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë në takimin e sotëm virtual të zhvilluar mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, atij të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit dhe kryetarëve të komunave, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë takim, Gjilani është përfaqësuar nga nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, i cili ka thënë se e kundërshtojnë kategorikisht mbylljen totale, duke vlerësuar se pandemia nuk ndalet, siç tha ai, duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve e familjeve

“Si komunë, jemi kategorikisht kundër mbylljes totale. Kjo përkrahje na erdhi edhe nga shumë komuna tjera. Të mendosh për mbyllje totale, është t’ia shkaktosh vetës një greminë të thellë, nga e cila edhe ashtu kemi çaluar, ku nuk kemi për tu ngritur lehtë”, citohet të ketë thënë Ismajli.

Tutje, në njoftimin e kësaj komune thuhet se Ismajli ka kërkuar që qeveria të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël në ekonominë e Republikës.

“Gjithashtu, në mbrëmjen e kaluar, sjelljet e AVUK-ut dhe Policisë së Kosovës, ishin irrituese duke u shkaktuar gjoba të papërballueshme bizneseve vendore”, ka alarmuar nënkryetari i Gjilanit.

“Ky veprim nga ana e tyre është shumë i dëmshëm dhe vetëm sa e keqëson gjendjen ekonomike, në një raport të drejtë bashkë me pandeminë. Duhet t’i ndajmë gjërat bashkë dhe ta nxjerrim më të mirën nga një gjendje e rënduar pandemike”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/