image Gjilan: 12 nxënës dhe 13 mësimdhënës janë infektuar me COVID-19

Arsim

Gjilan: 12 nxënës dhe 13 mësimdhënës janë infektuar me COVID-19

news image

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një konference për media, pas takimit të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka bërë apel te qytetarët që t’i mbajnë maskat në rrugë, lokale e në punë, në mënyrë që t’i evitojnë gjobat dhe t’i kthehen solidaritetit e lojalitetit.

“Gjilani ka realizuar 4200 teste në këtë fazë pandemie dhe deri sot fatkeqësisht janë 48 vdekje nga COVID-19, 165 raste janë aktive dhe nën mbikëqyrje nga institucionet tona,, 1229 janë të infektuar në total, 1015 të shëruar, 12 raste janë në hospitalizim dhe 178 mostra janë në pritje për rezultat”, ka thënë Haziri.

Kurse, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka njoftuar se për momentin janë të infektuar 12 nxënës, 13 mësimdhënës dhe 3 punëtorë teknik, në shkollat publike.

“Rastet janë në monitorim të vazhdueshme nga ana e task-forcës së Drejtorisë Komunale të Arsimit. Tashmë të gjitha shkollat e kanë urdhëresën për respektim të masave nga ana e shkollave. Lajmi i mirë është që në 75% të shkollave nuk ka infeksion me COVID-19”, ka thënë Gagica.

Gjithashtu, mesazhe për respektimin e masave kundër koronavirusit kanë dhënë edhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Ukshin Ismaili, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Ajhane Sefiu dhe drejtoresha e QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hajdari. /Gazeta Sinjali/