image Gjermania ngre aktakuzë kundër një ukrainasi për shpërthimin në gazsjellësin nën Detin Baltik

Evropë

Gjermania ngre aktakuzë kundër një ukrainasi për shpërthimin në gazsjellësin nën Detin Baltik

news image

Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuza kundër një shtetasi ukrainas për shpërthimin në gazsjellësin “Nord Stream” nën Detin Baltik më 2022.

I dyshuari, i identifikuar vetëm si Serhii K sipas ligjeve gjermane për privatësinë, dyshohet se e ka udhëhequr dhe bashkërenduar sulmin ndaj gypave që transportonin gaz natyror nga Rusia drejt Gjermanisë, thuhet në raportet e mediave gjermane, transmeton televizioni BBC.

Ato thonë se ukrainasi është personi i njëjtë që ishte arrestuar në Itali verën e kaluar dhe ishte ekstraduar në Gjermani në nëntor. Ai ka mohuar se është i përfshirë në rastin e shpërthimeve.

Asnjë palë nuk ka pranuar se e ka kryer sulmin dhe Ukraina e ka mohuar përfshirjen në rastin që mund të ketë ndërlikime serioze për marrëdhëniet e saj me Gjermaninë.

Kompania ligjore nga Berlini, “Menaker”, e cila e përfaqëson burrin ukrainas, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se të mërkurën i është dorëzuar padia, pa dhënë hollësi rreth akuzave.

Prokurorët federalë konfirmuan për agjencinë e lajmeve AFP se një burrë është ngarkuar me akuza për shpërthimin.

Sipas transmetuesit publik gjerman, DW, i cili citoi raporte të mediave gjermane, i dyshuari akuzohet për udhëheqjen e një ekipi prej shtatë bashkëpunëtorësh në një operacion për shkatërrimin e tre prej katër gypave të gazit në gazsjellësin “Nord Stream”.

Ai gjithashtu akuzohet për sulm ndaj infrastrukturës civile të energjisë dhe shkaktim të një shpërthimi e shkatërrim të infrastrukturës.

Sulmi kishte shkaktuar rrjedhje rekorde të metanit në Detin Baltik dhe e kishte bërë të paoperueshme infrastrukturën multimiliardëshe.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/