image Gjermania do të vendosë disa kontrolle kufitare gjatë samitit të G7

Evropë

Gjermania do të vendosë disa kontrolle kufitare gjatë samitit të G7

news image

Gjermania do të vendosë përkohësisht disa kontrolle kufitare derisa në këtë shtet do të mbahet samiti i Grupit të Shtatë (G7). Takimi i G7 do të zhvillohet më 26 deri më 28 qershor në Elmau të Gjermanisë.

Gjermania ka urdhëruar rritjen e sigurisë në kufirin e saj nga 13 qershori deri më 3 korrik tha Ministria e Brendshme të shtunën në një deklaratë.

Kontrollet synojnë të parandalojnë autorët e mundshëm të dhunës që të hyjnë në territorin gjerman, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “udhëtarët duhet të presin që t’i nënshtrohen kontrolleve gjatë kësaj periudhe”.

Ministria e Brendshme nuk sqaroi më tej se çfarë lloj kërcënimesh të dhunshme mund të priten, por disa protesta kundër samitit janë planifikuar në qytetin e afërt të Garmisch-Partenkirchen dhe në kryeqytetin e Bavarisë, Munih.

Kontrollet e përkohshme kufitare do të jenë “fleksibile për sa i përket vendndodhjes dhe kohës” dhe do të kryhen “në kufijtë e brendshëm tokësorë, ajrorë dhe detarë gjermanë”, shkruan REL.

Pjesë e G7 janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Japonia, Kanada, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.

/GazetaSinjali/