image Gjermania do të ketë 6.6% rënie ekonomike për shkak të koronavirusit

Botë

Botë/ Gjermania do të ketë 6.6% rënie ekonomike për shkak të koronavirusit

news image

Instituti gjerman për ekonomi, Ifo, raportoi të martën se ekonomia e Gjermanisë pritet të ketë rënie deri në 6.6 për qind në nivel vjetor gjatë 2020-ës për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky institut tha se ekonomia më e madhe e Evropës u tkurr për 1.9 për qind gjatë çerekut të parë të këtij viti dhe pritet që të tkurret për 12.2 për qind gjatë çerekut të dytë.

Ndërkohë kthimi i ekonomisë në nivelin që ka qenë para fillimit të krizës shëndetësore pritet të arrihet në fund të vitit 2021, thuhet në raportin e këtij instituti.

Ndryshe, qeveria gjermane është duke bërë përpjekje që t’i lehtësojë masat e kufizimeve për ta riaktivizuar ekonominë. Megjithatë, ministri gjerman i ekonomisë, Peter Altmaier, paralajmëroi që këto masa të largohen me shumë kujdes, sepse mund të shtohen rastet e sëmundjes dhe vendi të detyrohet të kthehet në izolim.

Gjermania është një ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi. Deri të martën, në këtë shtet janë regjistruar 6,126 viktima dhe 158,758 të infektuar me Covid-19.

Pavarësisht këtyre shifrave, qeveria ka dhënë leje për rihapjen e librarive, dyqaneve të veturave dhe të biçikletave, shkruan “Reuters”./Gazeta Sinjali/