image Gjermania aktualisht refuzon ekstradimin e të dënuarit për tentim vrasje në Pejë

Drejtësi

Gjermania aktualisht refuzon ekstradimin e të dënuarit për tentim vrasje në Pejë

news image

Gjykata e Lartë e Baden-Württemberg ka vendosur në favor të mbrojtjes së të dënuarit për tentim vrasje në Pejë, Sami Berishës, duke refuzuar kërkesën e autoriteteve kosovare për ekstradimin e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e kësaj gjykate, në të cilin thuhet se “Aktualisht, nuk lejohet ekstradimi” i Berishës nga Gjermania në Kosovë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Berishën, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Berisha bëri të ditur se arsyet e lirimit të tij kanë të bëjnë me mosplotësimin e kushteve për ekstradim, lidhur me disa çështje familjare dhe shëndetësore.

“Po, jam lirue,. Më 12 gusht jam arrestue dhe deri më 6 tetor kam qenë në paraburgim. Kjo ka qenë hera e parë që jam arrestu nga shteti gjerman. Prej Prishtinës ju ka ardhë këtyre urdhri me më arrestue. Kur më kanë arrestue ma kanë jep vendimin e Gjykatës së Lartë të Shtutgartit në dorë. Më kanë arrestue dhe më kanë çue në paraburgim. Me ndihmën e avokatëve, me arsyetimin tem, jam lirue.”

“Arsyetimi është se nuk janë plotësu kushtet për me m’ekstradue. Unë kam qenë smutë, fëmijët i kam nënshtetas gjermanë, jetoj që 30 vjet në Gjermani, kurrëfarë vepre penale nuk kam pasë që 30 vjet. Pyetja për Qeveri, për PresidentEn, kam thanë çdogjë është okay, vetëm i kam votue. Por, nuk du me shku me e kry dënimin”, tha ai për Sinjalin.

Berisha tha se në Kosovë nuk ka qenë në 3 vjet, që nga koha kur ka ndodhur tentim vrasja, për të cilën është dënuar me 12 muaj burgim efektiv.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë që e gjeti Berishën fajtor, u shpall më 12 tetor të vitit 2018. Ndërkaq, dy muaj më vonë, ky dënim u konfirmua nga Gjykata e Apelit./Gazeta Sinjali/