Një burrë 58 vjeç dhe një vajzë 17-vjeçare janë gjetur pa shenja jete në Vitomiricë të Pejës dje rreth orës 17:00, raporton Gazeta Sinjali.
Siç njofton Policia, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve. Vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe prokurori i shtetit.
Policia njofton se rreth një orë e gjysmë më pas janë arrestuar 4 persona, të cilët i kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë derisa ishin duke e rrethuar me shiritë të sigurisë lokacionin ku ishin gjetur trupat e pajetë.
“Fsh. Vitomiricë, Pejë 13.06.2020-17:00. Është raportuar se viktima femër Kosovar së bashku me viktimën mashkull Kosovar janë gjetur pa shenja jete, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit i cili e ka cilësuar rastin. Në vendin e ngjarjes është gjetë dhe sekuestruar një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Siç njofton Policia, nga konfrontimi me të dyshuarit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.
“Fsh. Vitomiricë, Pejë 13.06.2020-18:30. Janë arrestuar katër persona të dyshuar meshkuj Kosovar të cilët fizikisht i kanë sulmuar dy zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare duke e siguruar vendin e ngjarjes pasi në atë lokacion janë gjetur dy trupa të pajetë. Si pasojnë sulmit dy zyrtarët policor kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në raportin tjetër të Policisë.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/