Janë arrestuar gjashtë persona në ujërat afër Plymouth-it të Anglisë, pasi që autoritetet konfiskuan 1 mijë e 500 kilogramë kokainë me vlerë të rreth 120 milionë funteve.
Agjencia Kombëtare e Krimeve në Britani bëri të ditur se në këtë operacion, përpos personelit të saj, u përfshinë edhe Policia Federale e Australisë dhe Forca Kufitare, të cilat kanë arrestuar një britanik dhe pesë shtetas të Nikaraguas në një jahtë që ndodhej rreth 130 kilometra larg bregdetit, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Sinjali.
Personat të moshës 24 deri 49-vjeçare, u arrestuan nën dyshimin për trafikim të drogës.
Ata po mbahen në paraburgim në pritje për t’u marrë në pyetje, njoftuan autoritetet britanike të sundimit të ligjit.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Krimeve, Matt Horne, u shpreh se droga që është konfiskuar nuk ka dyshime se do të shitej në të gjithë vendin.
“Nuk ka dyshim që kjo drogë do të shitej në komunitetet në mbarë Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të atillë për të nxitur më shumë krimë dhe mjerim. Grupet e krimit të organizuar frymëzohen nga paratë”, tha ai.
“Për më tepër, arrestimi i burrave që transportojnë drogë nënkupton se grupi i krimit ka humbur kriminelë të besueshëm, të cilët do të ishin kyç për operacionin e tyre”, shtoi zyrtari britanik./GazetaSinjali/