Rastet e vjedhjeve nëpër shtëpitë private e biznese në Kosovë janë shndërruar në dukuri shqetësuese. Zakonisht personat e dyshuar arrijnë të ikin nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur më vonë nga Policia, por ka edhe herë kur ata kapen në flagrancë nga pronarët e shtëpive, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një person kishte hyrë me forcë në një shtëpi në rrugën ‘Ali Ibra’ në Gjakovë.
Sinjali mëson se 22-vjeçari është kapur në banjën e shtëpisë nga pronari, i cili menjëherë e ka denoncuar rastin në Polici.
I dyshuari është arritur që të arrestohet, ndërsa sipas ankuesit ai ka arritur që të marrë gjësende shtëpiake në vlerë të 20 eurove.
Gjatë intervistimit para hetuesve policorë, i roi ka deklaruar se ka hyrë në shtëpi që të vjedhë drogë, pasi është përdorues i substancave narkotike, por nuk kishte arritur që të marrë ndonjë gjë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.