image Gërvalla: Ushtarët serbë kurrë më në Kosovë, po ta kishte përnjëmend Serbia s’do të bënte filma

Politikë

Gërvalla: Ushtarët serbë kurrë më në Kosovë, po ta kishte përnjëmend Serbia s’do të bënte filma

news image

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ushtarët serbë nuk do të mund të shkelin kurrë më në Kosovë. Ministrja ka deklaruar se po ta kishte ndërmend Serbia një ndërhyrje ushtarake në Kosovë, “nuk do të bënte filma” siç po bën.

Gërvalla ka thënë se Serbia nuk i ka lënë më vetes vend në Kosovë.

“Unë mendoj që Serbia po të guxonte të hynte në Kosovë, nuk do të guxonte të bëj filma. Serbia e di shumë mirë, që jo më 1,000 ushtarë por as 10 ushtarë serbë nuk do të hyjnë më kurrë në Kosovë. S’i kanë lënë vend vetes që të jenë këtu”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka thënë se një aventurë e tillë për Serbinë, do ta shpinte në qorrsokak.

“Nuk përjashtoj dëshirën e madhe që Serbia ka për të provokuar incidente në Kosovë, por ëndrrat që mund t’i shoh dikush që ushtarët serbë mund të shkelin në Republikën e Kosovës, duhet të pushojnë një herë e mirë. Unë nuk besoj që aventurierët nuk e dinë, që një aventurë e tillë do ta shpinte Serbinë në qorrsokak”, tha Ministrja Gërvalla.

Ndryshe, sonte Qeveria e Serbisë ka vendosur që të kërkojë zyrtarisht nga KFOR-i kthimin e trupave të saj në Kosovë. Lajmin e ka dhënë vet presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e ka ndjekur mbledhjen e qeverisë.

Gërvalla ka thënë se të gjitha veprimet e fundit të Serbisë, bëhen me qëllimin që t’i shmanget dialogut që ka për qëllim të marr epilog me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.

/GazetaSinjali/