image Gërvalla: Selakoviq më thërret Schwarz, mbiemri im është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë

Siguri

Gërvalla: Selakoviq më thërret Schwarz, mbiemri im është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë

news image

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, ka treguar gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku u diskuta raporti i UNMIK, se pse kryediplomati serb, Nikola Selakoviq, nuk i referohet asaj me mbiemrin Gërvalla, raporton Gazeta Sinjali.

Gërvalla ka thënë se arsyet lidhen me babain e saj, heroin Jusuf Gërvalla, i cili ishte përndjekur dhe vrarë nga shërbimi i sigurimit serb.

“Nuk dua t’ju mërzis me këto sulmet personale, por nuk munda ta kaloj këtë gjë. Z. Selakoviq nuk arrin të më thërras në mbiemër, që nuk është Schwarz, ky është i burrit tim. Mbiemri im është Gërvalla dhe ka një arsye pse Selakoviq nuk mund të më thërras sipas këtij mbiemri. Ky është mbiemri i babait tim të cilin Beogradi e ka dëbuar në Gjermani. Ka qenë shkrimtar, gazetar, muzikant dhe është vrarë nga shërbimi i sigurimit serb”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare ka deklaruar se mbiemri Gërvalla paraqet një vrimë shumë të madhe dhe të errët në ndërgjegjen e Serbisë.

“Mu për këtë është shumë vështirë që të përmendet mbiemri Gërvalla, sepse është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë. Do të mund shpenzoja shumë kohë për të reaguar në shumë gjëra, vetëm se nuk do të reagoj, sepse e respektoj kohën e këtij organi të nderuar”, ka deklaruar ajo.

Mes tjerash, ministrja Gërvalla ka thënë se përkundër pengesave të qëllimshme të Serbisë, Kosova vazhdon të zhvillohet në të gjitha aspektet dhe të shënojë progres. Ajo ka ftuar pjesëmarrësit e seancës që t’i referohen raporteve ndërkombëtare, për të parë progresin që po shënohet në Kosovë.

/GazetaSinjali/