Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, propozoi sot para Komisionit për Punë të Jashtme, ndryshimin e pagave për diplomatët që emërohen ambasadorë të Kosovës në shtete të ndryshme.
Sipas saj, shteti i Kosovës u jep paga të njëjta të gjithë ambasadorëve dhe kjo gjë thotë se duhet të ndryshojë.
Shefja e diplomacisë kosovare e ka quajtur absurditet këtë fakt, duke thënë se ambasadorët në Washington apo Tokio, e kanë të pamundur ta përballojnë koston e jetesës me pagën që e marrin.
“Një prej absurditeteve më të mëdha të cilat i kam hasur në Ministrinë e Punëve të Jashtme është çështja e pagave të diplomatëve. Pra, një diplomat i Kosovës merr të njëjtën pagë si në Tiranë dhe Podgoricë, si në Tokio dhe Washington, gjë që tregon se është totalisht e pamundur që diplomatët që i dërgojmë shumë larg vendit, ta përballojnë koston e tyre të jetesës. Diplomati a të merret me diplomaci, apo të merret me lista të çmimeve të supermarketeve se ku të shkojë sot ta blejë mishin e nesër pataten”, tha Gërvalla./GazetaSinjali/