image Gërvalla për "Ballkanin e Hapur": Inciativë e rrezikshme për të gjithë Evropën

Politikë

Gërvalla për “Ballkanin e Hapur”: Inciativë e rrezikshme për të gjithë Evropën

news image

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkësinë e Evropiane dhe jo në iniciativa tjera.

Kështu, në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, Gërvalla përjashtoi mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur” të cilën e quajti të rrezikshme jo vetëm për rajonin, por për tërë Evropën.

“Kemi një brengë muajve të fundit dhe këto janë iniciativat që po dalin në pah dhe që na tregojnë se bashkësia evropiane nuk është serioze në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto nuk janë të rrezikshme vetëm për regjionin tonë por janë me të vërtetë të rrezikshme për tërë Evropën. Nëse mund të përmend vetëm njërën nga to do të përzgjedhja iniciativën e “Ballkanit të Hapur” që do të hapë dyert për shumë influenca të ndryshme kineze, ruse në tregjet evropiane” tha Gërvalla.

Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme theksoi se Kosova e ka bërë të qartë drejtimin e saj që është anëtarësimi në BE dhe NATO.

“Faleminderit që keni zgjedhur Prishtinën për këtë samit kaq interesant pasi po mundohemi që të vendosim Prishtinën në agjendë prapë, por këtë herë jo vetëm për paqe dhe stabilitet por për atë se si një vend mund të zhvillohet nga një vend që është përballuar me luftë para 23 vjetësh dhe se moshën mesatare e ka jo më shumë se 25 vjet”. u shpreh Gërvalla.

“Kosova është e qartë në këtë drejtim dhe dëshirojmë që të jemi anëtarë të Bashkësisë Evropiane dha sa më shpejtë që është e mundur të jemi pjesë e NATO-s. Besoj që integrimi në vetvete nuk është i mjaftueshëm kur i përshkruajmë alternativat dhe të ardhmën e regjionit. Ne flasim për integrimet atlantike pasi kjo është pjesa që garanton stabilitetin dhe paqen afatgjate në rajonin tonë” tha tutje Gërvalla.

/GazetaSinjali/