image Gërvalla në OKB: Vuçiq po e kërcënon Kosovën, ekstremistët serbë po sulmojnë bashkëvendësit e tyre që po i ndërrojnë targat

Politikë

Gërvalla në OKB: Vuçiq po e kërcënon Kosovën, ekstremistët serbë po sulmojnë bashkëvendësit e tyre që po i ndërrojnë targat

news image

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës ka përfaqësuar vendin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në kuadër të raportimit të rregullt 6-mujorësh për Kosovën, raporton Gazeta Sinjali.

Gërvalla ka folur për paqen dhe stabilitetin në rajon, ku para anëtarëve të OKB-së ka paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të muajit kur përfundon afati për ndërrimin e targave në RKS.

 “Dua t’i adresoj disa kërcënime serioze ndaj stabilitetit dhe paqes në rajon. Më i afërmi është eskalimi i Vuçiqit, i cili po kërcënon Republikën e Kosovës për në fund të tetorit. Në fund të këtij muaji përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të paligjshme në të ligjshme. Tashmë 90 për qind e pronarëve të veturave kanë zëvendësuar targat e tyre të paligjshme me ato të ligjshme. Ekziston një pakicë prej 10 për qind që kanë ende dy javë për t’u regjistruar”, tha ajo.

Kryediplomatja kosovare tha se disa serbë ekstremistë po e pengojnë seriozisht procesin e zëvendësimit të targave, duke sulmuar bashkëvendësit e tyre serbë në Kosovë të cilët veçse i janë nënshtruar këtij procesi.

“Serbët ekstremistë po ndjekin dhe frikësojnë brutalisht bashkëqytetarët që po u binden ligjit, madje edhe po ua djegin veturat disave që tashmë kanë ndërruar targat. Është gabim i madh për UNMIK-un që t’i shtyp këto fakte dhe, në këtë mënyrë, të mos i ndihmojë qytetarët kundër ekstremistëve”, tha ajo.

Gërvalla i bëri thirrje Këshillit të OKB-së që t’i kërkojnë Serbisë t’i ndalojë këto nxitje për dhunë e përçarje.

“Ne i bëjmë thirrje Këshillit dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i kërkojnë Serbisë që ta ndalojë kursin e rrezikshëm të përpjekjes për të nxitur përçarje dhe dhunë përsëri, në fund të këtij muaji.

Në fund, kryediplomatja Gërvalla falënderoi aleatët e Kosovës të cilët janë gjithmonë të gatshëm të intervenojnë për t’i zbutur tensionet në vend.

“Ne jemi mirënjohës që KFOR-i, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë vendin tonë për të zbutur tensionet e nxitura nga ekstremistët serbë dhe Z. Vuçiq, siç bënë në vitin 2021, dhe përsëri këtë vit”, tha Gërvalla.

/GazetaSinjali/