Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pas takimit me homologun e saj turk, Mevlut Cavusoglu ka bërë të ditur se u nënshkrua një marrëveshje mes Kosovës dhe Turqisë.
Ajo gjatë një konference për media tha që: “është për t’u përshëndetur marrëveshja që u nënshkrua sot nga dy ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë”.
Gjithashtu ajo foli për rolin e Turqisë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe në Ballkan, duke përmendur që Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese.
“Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese dhe është gjithashtu aktive në Ballkan si ndërmjetësuese neutrale”, tha kryediplomatja kosovare.
Zëvendëskryeministrja tha se Cavusoglu “e njeh mirë historinë e gjenocidit dhe shtypjes në Kosovë”.
Gërvalla tha se diskutuan për bashkëpunimin në arsim, trajtimin e pacientëve nga Kosova në Turqi si dhe trajnimin e stafit shëndetësor atje.