Shumë duartrokitje nga të pranishmet në sallë, e që ishin viktima të dhunës seksuale në konflikt, nga vende të ndryshme të botës, mori ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. E gjithë kjo ndodhi në Londër, ku Zëvëndëskryeministrja mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Këto duartrokitje nuk ishin për atë që ajo tha, por në fakt për refuzimin që ajo bëri të përgjigjet në pyetjen se “cilat janë mangësitë që ka identifikuar Kosova në raport me dhënien e ndihmës për viktimat e dhunës seksuale në konflikt”.
Reagimi i saj i ashpër, se refuzon të përgjigjet, kur në panelin para saj, për këtë temë ishte ftuar të flasë edhe Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, e për të cilin Gërvalla tha se është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Miloseviq, u mirëprit nga viktimat e pranishme në sallë, të cilat disa herë e ndërprenë duke duartrokitur.
Në këtë konferencë, ministrja Gërvalla merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly.
“Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryesit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit”, tha ministrja Gërvalla, duke aluduar në luftën e fundit në vend dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Më tej, në katër minutat e fjalimit të saj, ajo nuk fshehu pezmin për një fakt.
“Jam paksa e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, deklaroi Gërvalla, nën duartrokitjet e viktimave të pranishme në sallë.
“Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryesit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha ministrja Gërvalla.
“Flet për Ivica Daçiqin”, i tha një nga të ftuarat me zë të ulët, drejtuesit të konferencës, përshpërima e të cilëve u dëgjua nga mikrofoni i ndezur.
Vetë ministrja e sqaroi se për kënd po fliste. “Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviqt në vitet 1992-2000”.
“Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, tha Zëvëndëskryeministrja Gërvalla.
“E ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”.
Ndërkohë, gjatë punimeve të konferencës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare./RTK