Zëvendëskryeministrja e Kosovës njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, e ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Malit të Zi Rashko Konjeviq, njëherit edhe ministër i Mbrojtjes, të cilin e njoftoi rreth aspiratave evro-atlantike të Kosovës.
“Kërkoj ndihmën e Malit të Zi lidhur me aplikimin e Republikës së Kosovës në programin “Partneriteti për Paqe” (PfP) dhe Kartën e Adriatikut”, theksoi Gërvalla.
Në njoftimin e MPJD thuhet se ministrja ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në të gjitha bashkëpunimet rajonale që ndërlidhen me siguri.
Ajo e falënderoi zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Rashko Konjeviq për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, gjë që sipas saj ka ndikim të shumanshëm në të mirën e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë mes dy vendeve mike.
Gërvalla e ka njoftuar Konjeviq për bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Sipas saj, në kontekstin e situatës së sigurisë në rajon duhet vëzhguar me kujdes ndikimin e agresionit rus në Ukrainë tek shtetet e Ballkanit Perëndimor.