Një grup ministresh të Jashtme nga 16 vende të botës, përfshirë edhe kryediplomaten kosovare Donika Gërvalla, janë shprehur të zhgënjyera me vendimin e pushtetit të talebanëve, të cilët ndaluan shkollimin e vajzave mbi klasën e gjashtë.
Në një deklaratë të përbashkët, diplomatet kërkuan që arsimi i vajzave afgane të mos ndërpritet.
“Si gra dhe si ministre të Jashtme, ne jemi thellësisht të zhgënjyera dhe të shqetësuara që vajzave në Afganistan po u mohohet hyrja në shkollat e mesme këtë pranverë”, thanë ministret e jashtme të Kosovës, Shqipërisë, Andorrës, Australisë, Belgjikës, Bosnjës, Kanadasë, Estonisë, Gjermanisë, Islandës, Malavisë, Mongolisë, Zelandës së Re, Suedisë, Tongas dhe Britanisë, shkruan DW.
Ato thanë se vendimin e bën edhe më shqetësues fakti se në vazhdimësi kanë dëgjuar për zotimet e talebanëve për të hapur shkollat për të gjithë fëmijët.
“Ne u bëjmë thirrje talebanëve që të anulojnë vendimin e tyre të fundit dhe t’iu japin qasje të barabartë në të gjitha nivelet e arsimit, në të gjitha provincat e vendit”, shtuan ato.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu mbajti një diskutim me dyer të mbyllura për këtë çështje.
Talebanët kishin premtuar një rregull më të butë kur u kthyen në pushtet vitin e kaluar, duke pretenduar se respektojnë të drejtat e grave.
Ata gjithashtu thanë se vajzat do të lejohen të studiojnë deri në universitet.
Për këtë çështje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se kanë anuluar bisedimet e planifikuara me talebanët pasi sundimtarët e Afganistanit bënë regres në temën e arsimimit të vajzave.
Ministria e Afganistanit bëri një njoftim për vendimin që mori.
“Ne informojmë të gjitha shkollat e mesme të vajzave dhe ato shkolla që kanë nxënëse femra mbi klasën e gjashtë se ato do të pushojnë së shkuari në shkollë deri në një njoftim tjetër”.
Njoftimi u prit me zhgënjim nga vajzat që u larguan nga shkollat dhe u dënua nga fuqitë ndërkombëtare, të cilat kanë lobuar për të drejtat e grave nën regjimin taleban.