Ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci, ka thënë se jeta e tij është në rrezik, pas intervistimit të presidentit Hashim Thaçi në Prokurorinë e Specializuar në Hagë.
Geci përmes një videoje të postuar në Facebook ka thënë se ka marrë informata nga Brukseli dhe vendet mike të Kosovës se jeta e tij është në rrezik.
Geci ka thënë se këtë informatë e ka marrë dje rreth orës 18:00, përmes një telefonate që i ishte bërë nga disa persona nga Brukseli dhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian.
“Unë dua ta ndajë një informatë me ju dhe qytetarët e Republikës së Kosovës sepse dje rreth orës 18:00 më kanë thirrë në telefon disa persona nga Shtetet e Bashkimit Evropian, Brukseli e Holanda. Dua të ju tregoj juve se pas intervistimit të presidentit, Brukseli ka informata se jeta ime është në rrezik. Prandaj dua që këtë informatë ta ndajë me ju, mua dje më është thënë të kem kujdes…”, thotë Geci mes tjerash përmes kësaj videoje.
“Mua dje më është thënë që të kem kujdes, sepse sigurisht ka ra dikush në përgjime dhe jeta ime është në rrezik”, ka thënë Geci. /Gazeta Sinjali