Gazetari serb, Zhelko Panteliq, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “e imiton presidentin hungarez Viktor Orban në shumë gjëra” dhe se ai “mbron pozicionin e tij në Bashkimin Evropian me një politikë të tillë”.
Sipas tij, shembulli i Hungarisë dhe Polonisë tregon se hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk garanton respektimin e lirive, të drejtave të njeriut dhe ekonominë e tregut. Andaj, për këtë arsye thotë se “ne duhet të luftojmë vetë për gjithçka”.
“Jo vetëm në ekonomi, por edhe në gjëra të tjera, Vuçiqi e imiton Viktor Orbanin. [..] Ai dëshiron t’i tregojë BE-së se është i dobishëm, në mënyrë që Serbia të jetë një treg për fuqi punëtore të lirë dhe në atë mënyrë, duke u bërë thirrje kompanive të BE-së, ta mbrojë pozicionin e vet. Orbani e bëri të njëjtën gjë… Gjëja tjetër është se në atë mënyrë ai e lidh industrinë e atyre vendeve që kanë ndikim në politikën e vendeve të tyre dhe kjo është arsyeja pse ai ndihet kaq i sigurt”, tha Panteliq për televizionin N1, përcjell Gazeta Sinjali.
Panteliq vlerëson se shembulli i Hungarisë dhe Polonisë mund të jetë mesazh i mirë për opozitën serbe dhe njerëzit që besojnë në Bashkimin Evropian, pasi që, sipas tij, anëtarësimi në BE nuk garanton serbët që do të kenë një shtet ligjor dhe se të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut do të respektohen, “por le të luftojmë vetë”, thotë ai.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është vendim politik”.
Panteliq ka folur edhe për takimin e Vuçiqit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Sipas tij, gjëja më e rëndësishme e këtij takimi është pjesa ekonomike e bisedës dhe fakti që u bë një marrëveshje që Franca të kontribuonte në ndërtimin e metrosë në Beograd.
“Nuk ka raportime në gazetat franceze për vizitën e Vuçiqit dhe kjo është normale. Le të mos gënjejmë, ne jemi një vend i vogël, nuk mund të jemi interesant për francezët, veçanërisht pasi nuk ka asgjë interesante për ta në atë takim. Edhe ajo historia e një ‘zgjidhjeje inovative’ për Kosovën… Ne duhet ta kuptojmë se nuk ka asnjë ‘zgjidhje inovative’ për Kosovën. Për Kosovën, ekziston vetëm një mënyrë inovative e zgjidhjes, që Serbia ta njohë Kosovën”, thekson Panteliq.
Ai kujton faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Kosovën me kufijtë e sotëm dhe ky mendim i SHBA-së nuk do të ndryshojë as në 100 vitet e ardhshme.
“As Gjermania, as Franca, as Britania e Madhe nuk do ta bëjnë këtë”, vlerëson Panteliq.
Zhelko Panteliq ka qenë gazetar në televizionin publik të Serbisë në vitin 1994, ndërsa pas bombardimeve të NATO-s në prill të vitit 1999, ai kishte vendosur të largohej nga Serbia./Gazeta Sinjali/